Ambasadori rus u qëllua në Ankara të Turqisë

Ministria e Jashtme ruse konfirmoi se ambasadori rus në Turqi u qëllua dhe u “plagos rëndë” pasi një person i armatosur hyri në një ndërtesë ku zyrtari po ndiqte një ekspozitë fotografike ruse.


“Një person i panjohur hapi zjarr gjatë një ngjarjeje publike në Ankara. Si rezultat, ambasadori rus në Turqi mori një plagë me armë zjarri”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova.

Sipas informacioneve të fundit nga Ministria e Jashtme ruse, Karlov tani po trajtohet në vend dhe nuk është dërguar në spitalin lokal, siç u raportua më herët.

Ambasadori Andrey Karlov u plagos pasi ishte gati të mbante një fjalim në hapjen e ekspozitës “Rusia në sytë e turqve”.

Fotot që supozohet se tregojnë autorin duke mbajtur një armë zjarri tani po qarkullojnë gjithnjë e më shumë në rrjetet sociale. Përdoruesit po postojnë gjithashtu fotografi të cilat thonë se tregojnë ambasadorin rus të shtrirë në tokë pasi u qëllua.

Autori, i cili kishte veshur një kostum dhe një kravatë, bërtiti 'Allahu Akbar' ('Zoti është i madh' në arabisht) gjatë sulmit, raporton AP, duke cituar fotografin e tyre.

Sulmuesi tha gjithashtu disa fjalë në rusisht, sipas agjencisë së lajmeve, dhe dëmtoi disa nga fotot në ekspozitë.

Transmetuesi turk NTV thotë se në sulmin ndaj ambasadorit janë plagosur edhe tre persona të tjerë.

Sulmuesi është vrarë nga forcat speciale turke, raporton agjencia turke e lajmeve Anadolu. Interfax rus, duke cituar një burim në ushtrinë turke, konfirmon gjithashtu se personi i armatosur është neutralizuar.

Gazeta Hurriyet, duke cituar gazetarin e vet, thotë se autori ka qëlluar edhe të shtëna paralajmëruese në ajër përpara se të shënjestronte Karlovin.

Sipas gazetës, forcat speciale kanë rrethuar godinën ku ndodhi sulmi dhe janë në kërkim të personit të armatosur.

Dëshmitarët thonë se policia është përfshirë në një shkëmbim zjarri me sulmuesin.

Lini një koment